Tronditet Polonia: Një person vret 5 persona dhe plagos 12 të tjerë në mes të qytetit të Krakovit

7 November 2026, 16:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tronditet Polonia: Një person vret 5 persona dhe plagos 12 të

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në qendër të Krakovit, në Poloni, pasditen e së shtunës, më 7 nëntor.

Sipas policisë polake, ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, me orën lokale, në sheshin kryesor të tregut, një nga hapësirat më të njohura publike të qytetit.

Autoritetet bëjnë të ditur se një burrë hyri me automjet në shesh dhe nisi të qëllonte në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve nga brenda makinës.

Nga të shtënat mbetën të vrarë pesë persona, ndërsa mes të plagosurve raportohet se ka edhe efektivë policie.

Autori i dyshuar u qëllua nga forcat e rendit gjatë ndërhyrjes dhe u transportua drejt spitalit. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, ambulanca dhe ekipe të shërbimeve të emergjencës, ndërsa pamjet e publikuara nga agjencitë ndërkombëtare tregojnë edhe praninë e një helikopteri mjekësor në zonë.

Kryeministri polak Donald Tusk e cilësoi ngjarjen tragjike dhe deklaroi se po informohej vazhdimisht nga Ministria e Brendshme.

“Policia po heton sfondin dhe të gjitha rrethanat e sulmit”, u shpreh Tusk në një reagim në rrjetet sociale.

Sipas raportimit të BBC-së, autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e autorit të dyshuar apo motivin e sulmit.

Po ashtu, mbeten të paqarta gjendja e personave të plagosur dhe rrethanat e plota të ngjarjes.


Video