Teatri i rilindjes me Veliajn - Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj (njeriu i Sadleva Bodos) i kërkojnë llogari ministrit Toni Gogu

29 October 2026, 20:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Teatri i rilindjes me Veliajn - Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj
Foto ilustrim nga Vox News

Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit ka hapur një teatër të fshehur si përplasje brenda Partisë Socialiste

Në qendër të debatit janë ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe dy drejtues të komisioneve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj.

Dy deputetët socialistë kanë kërkuar zyrtarisht sqarime për procedurën e ndjekur, arsyet e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës dhe dokumentacionin mbi të cilin është mbështetur vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Sipas raportimit të Top Channel, kërkesa është depozituar paraditen e së enjtes, më 29 tetor, në Kryesinë e Kuvendit dhe më pas i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë.

Çuçi dhe Xhafaj kërkojnë të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka informuar ministrinë për urdhrin e transferimit, i cili është klasifikuar si sekret shtetëror. Po ashtu, ata kërkojnë vënien në dispozicion të praktikës dokumentare që ka shoqëruar këtë procedurë.

Por në këtë “përplasje” është interesant edhe roli i drejtueses së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, institucioni që ka në administrim sistemin penitenciar dhe nga ku ka dalë vendimi për transferimin e Veliajt.

Sadleva Bodo njihet në korridoret e politikës si e besuara e Fatmir Xhafës.

Bodo ka një të kaluar profesionale në Ministrinë e Brendshme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku ka punuar për pesë vite si këshilltare ligjore e drejtuesit të institucionit.

Nga maji i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, ajo ka drejtuar Drejtorinë e Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme. Në pesë muajt e parë të kësaj periudhe, ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj.

Pas largimit nga ministria, në gusht të vitit 2021, Bodo iu bashkua BKH-së (e rekomanduar nga Xhafaj), ku vijoi karrierën si këshilltare ligjore, fillimisht gjatë drejtimit të Aida Hajnajt dhe më pas nën drejtimin e Joni Ketës.

Kështu, që kërkesa e “llogarisë” e Xhafajt ndaj Gogut, duket në këtë mënyrë më shumë një teatër, sesa një interesim i vërtetë për mënyrën e transferimit të Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

 


Video