
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën Durrës-Tiranë, ku një automjet me dy të rinj ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në kanalin anësor.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti është konstatuar nga një patrullë policie pranë Urës së Dajlanit, pasi dyshohet se dy të rinjtë kishte kryer disa manovra të rrezikshme në rrugë.
Efektivët i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit. Për këtë arsye, patrulla është vënë në ndjekje të automjetit, deri në momentin kur mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Si pasojë e aksidentit, dy të rinjtë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet përkatëse për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.