FIFA u është përgjigjur në një mënyrë krejt të pazakontë dhe të cilësuar nga disa media si arrogante dhe të njëanshme akuzave për gjykimin në ndeshjen mes Portugalisë dhe Ganës.
Akuzat u hodhën për episodin e penalltisë së dhënë për Ronaldon në minutën e 65-të. Penalltia u shndërrua në gol nga Cristiano Ronaldo.
Por, pas përsëritjes së episodit dhe analizimit të tij, shumë ekspertë dhe media sportive vlerësuan se penalltia ishte e tepruar dhe më shumë se sa faull i mbrojtësit ganez ndaj Ronaldos, ishte portugezi ai që kërkoi kontaktin.
Duke qëndruar te kontakti, grupi teknik i FIFA-s, që trajnon gjyqtarët e VAR-it iu përgjigj këtyre kritikave duke thënë se Ronaldo është një gjeni.
‘Njerëzit mund të thonë çfarë të duan për penalltinë e Ronaldos dhe për të. Por, është zgjuarsi që të presësh dhe gjesh momentin e duhur për atë fraksion sekonde dhe të arrish kontaktin me kundërshtarin. Ky është gjenialitet total’, thuhet në deklaratën zyrtarit të ekipit teknik të FIFA-s, Sunday Oliseh.