Blatter sëmuret, shtyhet gjyqi për mashtrim i ish-kreut të FIFA-s e Platinisë

8 June 2022, 19:07Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Blatter sëmuret, shtyhet gjyqi për mashtrim i ish-kreut të FIFA-s
Sepp Blatter dhe Michel Platini

Nisja e gjyqit të Sepp Blatter dhe Michel Platini është shtyrë me një ditë pasi Blatter tha se ishte shumë i sëmurë për të dëshmuar.

Dikur njerëzit më të fuqishëm në futbollin botëror, ata tashmë po gjykohen nën akuzat e mashtrimit dhe korrupsionit.

Por, Blatter tha në një seancë gjyqësore në Zvicër se ai nuk është në gjendje të dëshmojë për shkak të dhimbjeve në gjoks.

“Dhimbja është e madhe dhe unë kam vështirësi në frymëmarrje”, tha 86-vjeçari para gjykatësit.

Gjyqtarët në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona lejuan Blatterin, ish-presidentin e organit qeverisës të futbollit botëror, FIFA, të jepte dëshminë e tij të enjten.

Prokurorët zviceranë pretendojnë se një pagesë e vitit 2011 prej 2 milionë frangash zvicerane (rreth 2 mln euro) e bërë nga Blatter ndaj Platinit, ish-presidentit të UEFA, ishte e paligjshme.

Të dy mohojnë keqbërjen dhe thonë se transferimi ishte pagesë e vonuar ndaj ish-kapitenit të Francës, Platini, 66 vjeç, për punën e tij këshilluese për FIFA-n midis viteve 1998 dhe 2002.

Dyshja u përjashtuan nga futbolli në vitin 2015 dhe u paditën në nëntor të vitit të kaluar.

Avokatët e Blatter dhe Platini nuk arritën ta zhvendosnin gjyqin në një gjykatë lokale, ose të refuzonin kërkesën civile të FIFA-s kundër tyre për të rimarrë dëmin prej 2 milionë franga zvicerane.

Gjyqi do të përfundojë më 22 qershor, ndërsa vendimi pritet më 8 korrik. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit mund të dënohen me burgim deri në pesë vjet, ose gjobë, përveç rikthimit të parave në fjalë.


Video