
Avokati Plarent Ndrecaj i është drejtuar institucioneve përgjegjëse me një kërkesë zyrtare për informacion dhe dokumentacion lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në IEVP Fier.
Ndreca akuzon Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve se nuk i ka vënë në dispozicion aktin e transferimit dhe arsyet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.
Avokati kërkon të njihet me arsyet faktike dhe ligjore të transferimit, si dhe të pajiset me kopje të plotë të praktikës dokumentare që lidhet me vendimmarrjen dhe zbatimin e saj.
Në mënyrë të posaçme, ai kërkon aktin administrativ ose vendimin që ka urdhëruar transferimin, dokumentet mbi të cilat është marrë vendimi, arsyetimin për domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e masës, si dhe komunikimet zyrtare mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe dy institucioneve penitenciare.
Në shkresë, avokati ngre pretendimin se transferimi është kryer kundër vullnetit të klientit dhe pa e informuar atë mbi aktin që e ka urdhëruar, duke vënë në pikëpyetje bazën ligjore të veprimit.
Për shkak të rëndësisë së dokumentacionit për ushtrimin e së drejtës së ankimit, avokati kërkon trajtim urgjent të kërkesës dhe vënien pa vonesë të dokumenteve në dispozicion të Veliajt ose mbrojtësit të tij ligjor.
Letra e plotë e Plarent Ndrecajt drejtuar Drejtorisë së Burgjeve:
Drejtuar: E nderuar zj. Bodo
Më datë 28.10.2026, rreth orës 11.00 klienti im Erion Veliaj është transferuar nga IEVP Durrës në IEVP Fier, pa më vënë në dispozicion, pavarësisht kërkesave të mia dhe të klientit tim, akti që urdhëron transferimin dhe arsyet konkrete që e justifikojnë atë. Jashtë vullnetit të zotit Veliaj dhe pa u informuar mbi aktin mbi bazën e të cilit ka ndodhur ky transferim, transferimi ka ndodhur jo me forcën e një akti ligjor, por pa një bazë ligjore.
Në këto rrethana, kërkoj të më bëhen të njohura arsyet faktike dhe ligjore të transferimit, si dhe të më vihet në dispozicion, në kopje të plotë, e gjithë praktika dokumentare që lidhet me vendimmarrjen dhe ekzekutimin e tij, duke përfshirë veçanërisht:
Aktin administrativ ose vendimin që ka urdhëruar transferimin, së bashku me arsyetimin përkatës.
Propozimin, kërkesën, relacionin apo çdo dokument tjetër mbi bazën e të cilit është iniciuar dhe vendosur transferimi.
Dokumentacionin që përmban shkaqet konkrete faktike dhe ligjore të transferimit, si dhe vlerësimet mbi nevojën dhe proporcionalitetin e kësaj mase, nëse janë administruar.
Aktet dhe komunikimet zyrtare ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, IEVP Durrës dhe IEVP Fier lidhur me transferimin.
Dokumentacionin që provon njoftimin e zotit Veliaj për vendimin e transferimit, si dhe aktet që dokumentojnë realizimin e tij.
Kjo kërkesë synon të mundësojë njohjen e plotë me vendimmarrjen administrative, verifikimin e ligjshmërisë së saj dhe ushtrimin efektiv të së drejtës për ta kundërshtuar atë përpara autoriteteve kompetente.
Kërkoj trajtimin me urgjencë të kësaj kërkese, duke qenë se dokumentacioni i kërkuar lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e ushtrimit të së drejtës së ankimit.
Informacioni dhe dokumentacioni të vihen pa vonesë në dispozicion të zotit Veliaj pranë IEVP Fier, ose mbrojtësit të tij ligjor, duke mundësuar njohjen me praktikën dhe marrjen e kopjeve përkatëse të legalizuara.
Nëse ndonjë dokument nuk ekziston ose nuk disponohet nga institucioni juaj, kërkoj që kjo të konfirmohet shprehimisht me shkrim.
Në rast të kufizimit të aksesit në ndonjë pjesë të dokumentacionit, kërkoj të më njoftohen me shkrim baza ligjore dhe arsyet konkrete të kufizimit, duke më vënë në dispozicion pjesën tjetër të dokumentacionit.
Me respekt,
KËRKUESI
Erion VELIAJ
Përfaqësuar nga
Av. Plarent NDRECA