Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Antiterrori procedojnë 17 persona për mesazhet në rrjetet sociale: Bënë thirrje për dhunë në protesta

28 Tetor 2026, 16:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Antiterrori procedojnë

Drejtoria e Antiterrorit ka arrestuar një person, ka proceduar penalisht 17 të tjerë dhe ka referuar në Prokurori tetë raste për identifikimin e autorëve të dyshuar për thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave të dy javëve të fundit.

Sipas Policisë, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë përkatëse.

Ato lidhen me postime, mesazhe dhe komente në rrjetet sociale, të publikuara në kontekstin e protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në disa qarqe që prej 13 tetorit.

Në pranga është vënë një 33-vjeçar nga Tirana, me inicialet E. Xh., i dyshuar për përhapjen e informacioneve të rreme që ngjallin panik. Sipas Policisë, ai dyshohet se i ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook një subjekti privat, duke paralajmëruar vendosjen e bombave në tri godina të tij.

Ndër personat e proceduar është një 34-vjeçar, me inicialet A. K., i cili dyshohet se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Policia dyshon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, atij iu gjet edhe një dokument me të cilin prezantohej si gazetar, i cili u sekuestrua si provë materiale.

Një tjetër i proceduar është një 51-vjeçar nga Shëngjini, me inicialet E. N., i cili dyshohet se ka ofruar shuma parash përmes videove në rrjetet sociale, për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Policia ka proceduar edhe një 37-vjeçar, me inicialet G. P., për publikimin e përsëritur të të dhënave personale, fotografive dhe videove të punonjësve të Policisë, të shoqëruara me komente fyese dhe kërcënuese. Sipas autoriteteve, në llogarinë e tij janë evidentuar edhe postime kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore dhe thirrje për identifikimin e personave të tjerë.

Mes të proceduarve janë edhe persona të dyshuar për thirrje për dhunë dhe nxitje të urrejtjes. Një 56-vjeçar nga Tirana dyshohet se ka publikuar fotografi dhe shkrime që nxisnin veprime të dhunshme, ndërsa një 50-vjeçar akuzohet për shpërndarjen e shkrimeve antikushtetuese dhe thirrje për dhunë.

Po ashtu, një 20-vjeçar nga Tirana dyshohet se ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik, gjatë një proteste.

Sipas Policisë, 11 persona të tjerë, të moshave 18 deri në 46 vjeç, janë proceduar për thirrje publike për veprime të dhunshme nëpërmjet postimeve, mesazheve dhe komenteve në platforma të ndryshme online.

Përveç këtyre rasteve, materialet janë referuar në Prokurori për shtatë llogari në platforma të ndryshme dhe një llogari në Instagram, ku dyshohet se janë publikuar thirrje për dhunë. Për llogarinë në Instagram, hetimet lidhen edhe me përhapjen e informacioneve të rreme që ngjallin panik.

Policia njofton se vijon puna për identifikimin e administratorëve të këtyre llogarive dhe personave të tjerë të dyshuar.

Materialet procedurale i janë dërguar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.


Video