Kryeministri Edi Rama është takuar pasditen e sotme në Beograd me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të turit të tij ballkanik.
Gjatë konferencës së përbashkët në Beograd, Vuçiç foli edhe për Kosovën, për të cilën u shpreh se, nuk duhet të pyeten për këtë temë në sy të njëri–tjetrit.
“Mendoj se askush që është normal kërkon të shohë konflikt të çdo lloji. Duke folur për planin e shtensionimin, që foli Rama, i njoh përmendësh.
Nga tri Serbia ka realizuar dy, sepse duhet të veprojë edhe Prishtina. Të tërhiqen kryetarët e komunave dhe më pas të vijojmë. Ne duam paqe. E dimë që si në Tiranë dhe në Prishtinë, mendojnë se Serbia është fajtore.
Por duhet te dini se si është situata, se si janë reagimet në veri. Nuk kam problem të takohem me Albin Kurtin, unë kam folur me të gjithë që nga Thaçi dhe kam kërkuar që të gjej zgjidhje. Më pyesni se kur do të shoh Albin Kurtin, por unë nuk e di as ata që janë më afër tij se kur do ta shohin.
Unë nuk jam aq optimist se sa Edi. Sepse ky di të flasë më mirë se unë me Brukselin. Mos na pyesni mua dhe Edin për Kosovën dhe Metohinë në sytë e njërit-tjetrit”, tha Vuçiç.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se rruga e vetme është ajo e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Sipas Ramës, askush nuk duhet të nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit.
“Rruga e vetme është jo rruga e rritjes së tensioneve, por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Nuk dua të përsëris në Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë, por dua të shtoj se askush nuk duhet ta nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama përfundon sot një tur ballkanik. Ai vizitoi dje Shkupin dhe Prishtinën ndërsa sot u ndal në Bosnje e Mal të Zi. Takimi i fundit i kreut të qeverisë është në Beograd të Serbisë me Aleksandër Vuçiç.