Qeveria merr vendimin: Kjo kategori të huajsh mund të hyjnë pa vizë dhe të qëndrojnë 1 vit pa leje në shqipëri

7 July 2023, 18:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria merr vendimin: Kjo kategori të huajsh mund të hyjnë pa
Foto ilustruese / Kryeministria

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të heqë vizat dhe nevojën për leje qëndrimi unike në vendin tonë për të gjithë ata të huaj që punësohen si teknikë informacioni (IT) në vendin tonë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, shtetasit e huaj që do të punësohen nga një kompani në Shqipëri në fushën e aktiviteteve informatike, të shkencës dhe teknologjisë, nuk do të kenë nevojë të pajisen me vizë apo leje qëndrimi për një periudhë një vjeçare.

Për të hyrë në territorin e Shqipërisë, atyre do t’u nevojitet vetëm një deklaratë e lëshuar nga shoqëria që i ka punësuar.

VENDIMI I QEVERISË:

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E HYRJES, TË QËNDRIMIT DHE TË PUNËSIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË TË SHTETASVE TË HUAJ, PUNONJËS TË NJË SHOQËRIE IT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 29, pika 2, e 56,       pika 1, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. I huaji, i cili në momentin e kalimit në një nga pikat e kalimit kufitar gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, provon se do të punojë në një shoqëri IT, nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga vetë shoqëria, e cila ka aktivitet kryesor programimin kompjuterik, konsulencën dhe shërbimet e lidhura me to, përpunimin e të dhënave, hostimin dhe aktivitetet e lidhura me to, portalet në internet dhe/ose publikimin e programeve kompjuterike, sipas nomenklaturës së veprimtaritë ekonomike, të miratuara nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe kryen veprimtari si përdorues në parqet e shkencës dhe teknologjisë, në zbatim të ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, ka të drejtë të hyjë pa vizë dhe të qëndrojë pa leje unike në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 1 (një) vit.

2. Gjatë kësaj periudhe, i huaji, sipas pikës 1 të këtij vendimi, mund të aplikojë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve, dokumentacionit dhe procedurës së parashikuar në vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Video