Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të zëdhënësit të qeverisë greke i cili kërcënoi sot se arrestimi i Fredi Belerit do të pengojë në integrimin evropian të Shqipërisë.
Në një deklaratë për media, Ministria e Jashtme shpreh keqardhje për deklaratat e palës greke, duke i quajtur të pavend dhe thotë se injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit në Shqipëri.
Ministria e Jashtme shqiptare thotë se çështja e Belerit tashmë është në duart e drejtësisë së re dhe të pavarur, tek e cila qeveria shqiptare nuk mund të ndërhyjë.
“Kemi ndjekur me keqardhje deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri. Siç e kemi deklaruar në vijimësi, publikisht por edhe gjatë komunikimeve që kemi pasur me kolegët tanë grekë, deklarata të tilla janë të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri.
Qeveria e Shqiperisë as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve.
Theksojmë me këtë rast se shtetasi shqiptar me kombësi greke Fredi Beleri është subjekt i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, struktura të krijuara nga Reforma në Drejtësi, e cila është fryt i bashkëpunimit strategjik me SHBA dhe BE.
Qeveria Shqiptare nuk komenton veprimet dhe vendimet e këtyre strukturave. Ky parim vlen në rastin e z. Beleri ashtu si edhe në rastin e çdo qytetari tjetër shqiptar, në Shqipëri aq sa edhe në Greqi apo cilindo vend demokrarik në Europë e botë, prandaj e ftojmë Qeverinë e Greqisë të bëjë të njëjtën gjë dhe të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
Ditën e sotme, zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis kërcënoi me bllokimin e integrimit të Shqipërisë dhe tha se kryeministri i rizgjedhur Kyriakos Mitsotakis e ka ngritur çështjen në institucionet më të larta të BE-së.
“Kujtojmë se kryeministri Mitsotakis në kuadër të Samitit të Brukselit e ngriti çështjen në nivelin më të lartë, duke shprehur dëshirën që çështja të zgjidhej , dhe siç theksoi shumë qartë, zgjidhja apo moszgjidhja e saj - shpresojmë në zgjidhjen e saj - do të jetë gjithashtu një kriter kyç për ne , në qëndrimin tonë ndaj vlerësimit të qeverisë shqiptare, për rrugën e saj europiane. Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në nivelin më të lartë është se qëndrimi i qeverisë shqiptare, ndaj një kryebashkiak të zgjedhur dhe ndaj minoritetit grek në tërësi, nuk është vetëm armiqësor ndaj minoritetit grek, por është edhe ndaj parimeve të Bashkimit Evropian dhe për këto parime duhen dëshmi që respektohen nga qeveria shqiptare, jo vetëm përballë Greqisë, por edhe ndaj të gjithë vendeve anëtare. Dhe kjo mbajtje në burg ( e Belerit) dëshmon për fat të keq të kundërtën”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë greke.