Kryeministri Edi Rama e ka ftuar homologun e tij Albin Kurti në Tiranë, dhe thotë se nuk ka qefmbetje me të, ndonëse nuk u prit prej tij gjatë vizitës një ditë më parë në Tiranë.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Rama tha se shpreson që të gjashtë liderat e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kurtin, do të mblidhen në Tiranë në kuadër të Samitit për “Procesin e Berlinit”.
“Nuk shkova në Kosovë për t’u martuar me Albinin. Shkova në një vizitë si kryeministër i Shqipërisë, unë nuk kam asnjë problem as personal as profesional me të, kemi pikëpamje të ndryshme për një çështje. Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar, dhe ne dëshirojmë që të jemi të gjashtë bashkë në Tiranë. Në Tiranë ai është si në shtëpinë e tij”, deklaroi kryeministri Rama.
I pyetur për falimentimin e nismës “Ballkani i Hapur”, Rama tha se vendet e rajonit tashmë duhet të fokusohen plotësisht te Procesi i Berlinit.
“Ballkani i Hapur nuk është kompania ime private që unë e hapa, dhe unë e mbyll. Është një nismë e përbashkët e disa vendeve. Janë disa linja që janë përsëritur në Procesin e Berlinit por asnjëherë nuk janë materializuar. Ne duhet të fokusohemi shumë fort te procesi i Berlinit tani, jo vetëm sepse Shqipëria ka marrë përsipër ta mirëpresë. Do të futemi në një proces financimi nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.