Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas kritikave të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK për hetimet dhe arrestimet që po kryen ndaj koncesionit të sterilizimit në shëndetësi dhe impianteve të përpunimit të mbetjeve.
Basha thotë se qeveria “e damkosur” nuk i shpëton dot drejtësisë me “tubimet partiake”, teksa shton se bashkë i bën vetëm frika nga ndëshkimi për zullimet që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.
Rama mblodhi sot Asamblenë e PS dhe njoftoi një sërë ndyrshimesh në rang ministrash.
Reagimi i Bashës:
Qeveria e damkosur nga SPAK për aferën e inceneratorëve nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake ku bashkë i bën vetëm frika e ndëshkimit prej zullumeve që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.
Drejtësia duhet të vijojë punën e saj për hetimin e aferës së inceneratorëve, sterilizimit dhe çdo denoncimi për korrupsionin shtetëror në çdo hallkë. E pandikuar nga presioni qeveritar apo politik i kujtdo qoftë. Kjo është mënyra e vetme për të vënë para drejtësisë abuzuesit me pasuritë e shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që e kanë lënë Shqipërinë peng të Edi Ramës.