Partia Socialiste është dakord për t’i dhënë autorizimin SPAK-ut që të arrestojë ish-zëvendës-kryeministrin Arben Ahmetaj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Imunitetit dhe Rregullores, ku socialist kanë prezantuar raportin e tyre.
Më herët, deputeti Gazment Bardhi ka paraqitur edhe raportin e opozitës për autorizimin e SPAK.
Ndonëse me dy raporte, konkluzioni mes socialistëve dhe demokratëve është i njëjtë: SPAK autorizohet të arrestojë Arben Ahmetajn dhe të kryejë kontrolle në banesën e tij.
Çështja do t’i kalojë parlamentit dhe do të shqyrtohet në me gjasë në seancën plenare të ditës së hënë, sipas vendimit të socialistëve, ndonëse opozita ka insistuar që të përfshihet në seancën e ditës së nesërme.
Në pëfundim të mbledhjes, deputeti Ervin Salianji tha se ky rast ka zbuluar korrupsioni e madh në qeverinë e Edi Ramës ku janë përfshirë funksionarë të lartë dhe kryebashkiakë.
“Qëndimi ynë ishte që duhet të kalojë nesër në seancë kërkesa e SPAK. Kërkesë që u kundërshtua nga socialistët. Ne do të vazhdojmë edhe nesër, kemi të bëjmë me rastin kur personi nuk është në Shqipëri. Ky rast ka shpërfaqur korrupsionin e madh të qeverisë ku dhjetra funksionarë të lartë, kryetarë bashkie janë përfshirë në korrupsion. Edi Rama dhe qeveria duhet të japin dorëheqjen”, tha deputeti Salianji.
“5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për 3 veprat penale”, thuhet në raportin e opozitës të paraqitur nga Bardhi.