Prokurorët largohen nga mbledhja, avokatët e Ahmetajt: Në dosje s’ka asnjë provë bindëse për arrestimin e tij

12 July 2023, 18:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prokurorët largohen nga mbledhja, avokatët e Ahmetajt: Në dosje
Kreu i SPAK, Altin Dumani / Prokurorët e ish-ministrit Arben Ahmetaj, Henrik Ligori dhe Ardian Visha

Prokurorët e SPAK dhe avokatët e ish-ministrit Arben Ahmetaj janë larguar nga mbledhja e Këshillit të Mandateve vetëm pak çaste më parë.

Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorja prokurorja Enkeleda Millonai kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit duke shmangur komunikimin me medet.

Ndërsa gjatë largimit, kanë qenë dy avokatët mbrojtës të Ahmetajt, Henrik Ligori dhe Ardian Visha ata të cilët në një prononcim për mediat janë shprehur kundër arrestimit të klientit të tyre.

Visha dhe Ligori kanë thënë se në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë provë bindëse për arrestimin e Ahmetajt, apo edhe për kontrollin në banesën e tij.

“Nuk pamë arsye se përse duhej të kontrollohej banesa e Ahmetajt. Jemi kundër arrestit të një deputeti. Na është dhënë 24 orë për nj dosje voluminoze me 300 faqe. Në dokumentin e prokurorisë nuk kishte asnjë provë për arrestimin e Ahmetajt. Nuk ka asnjë dëshmi që Ahmetaj është pronar i këtyre pronave, apo për fshehje të pasurisë. Nuk ka asnjë pagesë nga pronarët e inceneratorëve, nuk janë të vërtetuara”, deklaruan avokatët e Ahmetajt.

Avokatët janë shprehur se nuk e dinë ku ndodhet Ahmetaj, megjithatë kanë thënë se vetëm pesë minuta para se të largoheshin nga mbledhja, kishin komunikuar me të.

Sakaq, mbledhja e Këshillit të Mandateve vijon me praninë e deputetëve të cilët pritet të vendosin se kur do të kalojë për votim në parlament relacioni i SPAK.


Video