Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës i kërkon qeverisë shqiptare që të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut për të dëmshpërblyer “pa vonesa” pronarët e kompleksit Jon, i shembur në vitin 2013 në kuadër të projektit Lungomare në Vlorë.
Në një mbledhje të zhvilluar më 9 mars, Komiteti shprehu shqetësimin se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për zbatimin e vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të vitit 2018 për çështjen “Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë”.
Vendimi e detyron shtetin shqiptar që të dëmshpërblejë me një vlerë mbi 13.4 milionë euro pronarët e këtij kompleksi – njëri prej të cilëve edhe vjehrri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë, kamatëvonesat llogaritet të kenë kapur më shumë se 1.5 milionë euro.
Komiteti ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e qartësisë së autoriteteve shqiptare si dhe vendos afate për të siguruar pa vonesë dëmshpërblimin, bashkë me kamatëvonesat.
Kompleksi “Jon” u shemb në mënyrë demonstrative me eksploziv në vitin 2013 për t’i hapur rrugë projektit të Lungomares në qytetin e Vlorës. Bashkë me të, qeveria rrafshoi me dhjetra ndërtesa, lokale dhe restorante të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare.
Pronarët e kompleksit e dërguan çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me pretendimin se autoritetet shqiptare shpërfillën një urdhër të përkohshëm gjykate që ndalonte çdo veprim që mund të cenonte të drejtat pronësore – dhe e fituan atë.
Kujtojmë se ndërtuesi i pallatit ishte vjehrri i Lulzim Bashës, ndërsa mes përfituesve është edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.




