Dorëheqje? Basha mbledh tre forumet që dogjën mandatet në 2019-n

21 March 2022, 16:43Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dorëheqje? Basha mbledh tre forumet që dogjën mandatet në

Lulzim Basha ka thirrur në orën 17:00 një mbledhje të përbashkët të grupit parlamentar të partisë, të kryesisë dhe të kryetarëve të degëve të PD-së.

Mbledhja e parë e këtij lloji që prej shkurtit të 2019-s, paralajmëron një vendimmarrje të madhe, ndoshta edhe dorëheqjen e Bashës.

Kjo, sepse hera e fundit që këto tre forume janë mbledhur njëkohësisht dolën me vendimin për djegien e mandateve.

Javën e kaluar, Basha mblodhi veç e veç grupin parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve të degëve të Partisë. Grupi parlamentar kërkoi thuajse në kor dorëheqjen e tij, ndërsa nga Kolegji i Kryetarëve, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre janë të emëruar nga Basha, ai mori mbështetjen.

Vetë grupi parlamentar u nda nëse dorëheqja duhej të ishte e kushtëzuar, apo jo. Tre besnikët e Bashës, Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi kërkuan që Basha të dorëhiqej me kusht që Sali Berisha të mos rikthehej në parti.

Grupi i rithemelimit dhe vetë Sali Berisha e kanë cilësuar qesharak këtë kusht. “Kush luan blofin, do t’i lë blofin”, deklaronte ish-kreu i PD-së.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Bashës, nga i cili do të rrjedhin më pas ngjarjet e tjera brenda PD-së, por paraprakisht në lojë janë dy skenarë.

Skenari i parë është që Basha të japë dorëheqjen dhe partia të drejtohet nga një grup deputetësh nga ata që mbështesin atë dhe Berishën për ta çuar deri në zgjedhje.

Skenari i dytë është që Basha të mos pranojë të japë dorëheqjen sot, gjë që mund të bëjë që deputetët brenda Grupit Parlamentar të fillojnë të mbledhin firmat me qëllim që t’i kërkojnë Kryetares së Parlamentit që ai të mos jetë më pjesë e grupit.


Video