Socialistët janë mbledhur në selinë rozë me rastin e 34-vjetorit të Partisë Socialiste. Festa ka bërë bashkë socialistë të rinj por edhe figura si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi apo Arta Dade.
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij duke e vënë theksin te objektivi më i rëndësishëm i mandatit të katërt qeverisës, që ai tha se është anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
"Nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe për të parë se çfarë duhet bërë më mirë. Dhe natyrisht shumë gjëra duhen bërë më mirë, kur ky mandat është lidhur me një besim të jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë se ky objektiv. Është një objektiv sa i arritshëm edhe tejet i vështirë për t'u arritur. Është një objektiv sa i afërt aq edhe i lidhur me atë çka duhet të përmirësojmë dhe përmbushim çka duhet përmbushur", u shpreh Rama.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas stafetën Edi Ramës i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej 2 dekadash.