Landfille të reja për grumbullimin e mbetjeve do të ndërtohen në të gjithë Shqipërinë, teksa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka miratuar sot vendimin.
Ky vendim vjen në një kohë kur landfilli i Sharrës në Tiranë po shkon drejt kolapsit dhe rrezikon të kthehet në një emergjencë mjedisore pasi nuk ka më vend për depozitimin e mbetjeve. Po ashtu, problematika janë raportuar edhe në lanfdille të tjera, të cilat herë pas here janë përfshirë nga flakët duke shkaktuar ndotje të ajrit.
Mbetet e paqartë se sa landfille të reja do të ndërtohet dhe në cilat zona. Vendimi i Këshillit të Ministrave, gjithashtu ka hequr tarifën për ripërdorimin e inerteve të ndërtimit.
VENDIMI:
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.575, DATË 24.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE INERTE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.575, datë 24.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve inerte”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në fjalinë e dytë të pikës 4, fjalët “… të vendimit nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve”, të ndryshuar.” zëvendësohen me “… të vendimit nr.402, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve.”.
2. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Në përputhje me qëllimin e këtij vendimi, mbetjet inerte të krijuara nga projekti i ndërtimit, i riparimit, i restaurimit apo i prishjes së objektit ripërdoren për ndërtim, nëse janë të përshtatshme për këtë funksion. Nëse mbetjet inerte të krijuara në sheshin e projektit ripërdoren në shesh ndërtimi tjetër apo nëse ruhen përkohësisht në një vend tjetër deri në ripërdorimin e tyre, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet dokumentacionin e mëposhtëm, sipas rastit:
a) Kur inertet ripërdoren për qëllime ndërtimi nga vetë subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit, por në një vend tjetër, ai paraqet deklaratën personale për qëllimin e përdorimit së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
b) Kur inertet ripërdoren për qëllim ndërtimi nga të tretë në një vend tjetër, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet marrëveshjen (kontratën) e lidhur me ta për këtë qëllim, së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
c) Kur inertet ruhen përkohësisht në një vend tjetër përpara ripërdorimit të tyre për qëllime ndërtimi, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet:
i. marrëveshjen me operatorin për depozitimin e inerteve përkohësisht në një venddepozitim të përkohshëm, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi. Nëse ato do të ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim; ose
ii. deklaratën për depozitimin përkohësisht, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi, në një pasuri të paluajtshme në pronësi të tij, ose marrëveshjen me pronarin, kur pasuria nuk është në pronësi të tij, të shoqëruara me kopje të kartelës së pasurisë. Në çdo rast, pasuria të përmbushë kriteret e përcaktuara në pikën 17 të këtij vendimi, dhe depozitimi sipas kësaj nënndarjeje nuk mund të zgjasë më shumë se 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë. Nëse mbetjet inerte ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim.”.
3. Pas pikës 20 shtohet pika 20/1, me këtë përmbajtje:
“20/1. Krahas subjekteve private, roli i operatorit, në kuptim të këtij vendimi, ushtrohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (në vijim, AKEM).
Për venddepozitimet e përkohshme të administruara nga operatorë që janë subjekte private, AKEM-i ushtron mbikëqyrjen dhe ndjekjen e funksionimit të venddepozitimit për qëllime të përputhshmërisë me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Rregullat e hollësishme të mbikëqyrjes dhe ndjekjes së funksionimit të venddepozitimeve përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. Në rast të konstatimit të shkeljeve të standardeve dhe të kritereve të venddepozitimit nga operatori, zbatohen masat administrative të parashikuara në legjislacionin e posaçëm të mbrojtjes së mjedisit.
4. Pas pikës 21 shtohen pikat 21/1, 21/2, 21/3, 21/4, 21/5 dhe 21/6, me këtë përmbajtje:
“21/1. AKEM-i i kërkon njësisë së vetëqeverisjes vendore informacionin për vendet e përcaktuara prej saj për t’u përdorur si venddepozitime të përkohshme dhe specifikisht mbi ato që shtrihen në pasuri shtetërore. Në rast se nuk është e qartë gjendja juridike e pronësisë mbi pasuritë, AKEM-i kërkon informacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Pas vlerësimit të këtyre vendeve, AKEM-i njofton njësinë e vetëqeverisjes vendore për ato pasuri shtetërore, të cilat do t’i administrojë si venddepozitime të përkohshme.
21/2. Marrja në administrim nga AKEM-i i pasurive, sipas përcaktimit në pikën 21/1 të këtij vendimi, kryhet në një nga këto mënyra:
a) Nëpërmjet përcaktimit ose ndryshimit të përgjegjësisë së administrimit të pasurisë shtetërore tek AKEM-i, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, në rastin kur ajo është pronë e patransferuar te njësitë e vetëqeverisjes vendore; ose
b) Nëpërmjet marrëveshjes që lidhet ndërmjet AKEM-it dhe organeve të saj (njësisë së vetëqeverisjes vendore), me objekt përdorimin e pasurisë nga AKEM-i për qëllimet e këtij vendimi ose sipas përcaktimeve të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, kur prona i është transferuar njësisë së vetëqeverisjes vendore.
21/3. Venddepozitimet e përkohshme miratohen me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
21/4. AKEM-i dhe operatorët privatë, që respektojnë në çdo rast kriteret e pikës 17 të këtij vendimi, kërkojnë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore miratimin e tarifës përkatëse, në bazë të pikës 15 të këtij vendimi, pa qenë nevoja për të miratuar ndryshime në planin e përgjithshëm vendor.
Pas miratimit të tarifës, AKEM-i ose operatorët privatë i drejtohen Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për miratimin e lejeve të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
21/5. Operatorët privatë, para marrjes së lejes së ndërtimit për venddepozitim të përkohshëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duhet të depozitojnë një garanci financiare/bankare për të mbuluar kostot e ndërtimit, të operimit, të mbylljes e të kujdesit të mëtejshëm të landfill-it pas mbylljes së tij, përfshirë pagesën e garancisë për kostot e mbylljes së tij, ndërhyrjet e mëpasshme dhe rehabilitimin e mjedisit, për llogari të njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila nuk do të jetë më pak se 10% e vlerës së strukturës së objektit dhe përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak.
21/6. Në çdo rast, për lejet e lëshuara nga autoritetet e zhvillimit të territorit, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit ka detyrimin të njoftojë përkatësisht sekretariatin teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për lejet në kompetencë të tij, autoritetin vendor dhe, në të gjitha rastet, AKEM-in, nëse, pas marrjes së lejes së ndërtimit, mbetjet inerte do të ruhen në një venddepozitim tjetër të përkohshëm, të ndryshëm nga ai i përcaktuar gjatë procedurave të lejes së ndërtimit, sipas përcaktimeve të pikës 8 të këtij vendimi.”.
5. Në pikën 20, fjalët “… ministria që mbulon infrastrukturën publike …” zëvendësohen me “… ministria përgjegjëse për mbetjet …”.
6. Në pikën 21, fjalët “… në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën publike …” hiqen.
7. Pika 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“25. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.