Kryeministër, kryetar parlamenti dhe më pas president i Republikës së Shqipërisë, sot Ilir Meta i është kthyer jetës politike.
Në Konventën Kombëtare të LSI-së ai u shpreh se nga tre pozicionet e larta që ka mbajtur është ndjerë më mirë me detyrën e presidentit dhe mezi pret të rikthehet për një mandat të dytë.
“Në këto 5 vite kam qenë nga një lartësi ku shihja çdo gjë dhe fitova një këndvështrim që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik që i kanoset sovranitetit të këtij vendi dhe pavarësinë Kosovës,” – u shpreh Meta.
Ai u cilësoi situatën aktuale jashtëzakonisht kritike dhe tha se kërkon një ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve që duhet të marrin përgjegjësi sepse s’mund t’ia besojnë më përgjegjësitë e tyre kësaj klase politike.
Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare të LSI-së, Meta tha se ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë pjesë e planit të mirëplanifikuar për djegien e mandateve dhe dorëzimin e pushtetit lokal në duart e Edi Ramës.
“Ndaj Shqipërisë ka një rrezik kanosës. Ndaj Pavarësisë së Kosovës ka një rrezik të madh pas pavarësisë me shumë sakrifica e shumë gjak. Kam parë një plan të përgatitur për të ekzekutuar demokracinë e pluralizmin për të pasur një fasadodemokraci. Është bërë gjithçka për të vrarë referendumet. Janë një grup oligarkësh që vjedhin e grabisin gjithçka, mbi tokë e nëntokë.
Duke djegur mandatet, duke dorëzuar pushteti lokal. Djegia e mandateve ishte e mirëplanifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë. Nga oligarkët që punojnë me të dyja palët prej kohësh. Një person që gënjen edhe për orën nëse e pyet. Ata nuk synojnë thjesht grabitjen, por zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar. Në pesë vite ndodhi një grusht shteti pa tanke, po me procedura. Ata na mësuan se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkojnë të betohen te Lana dhe parlamenti thotë u zgjodh ky”, theksoi Meta.