Arben Ahmetaj është shfaqur për herë të parë në publik pas shkarkimit nga posti i zëvendëskryeministrit nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
I zverdhur dhe i djersitur në fytyrë dhe pasi zgjidhi problemet lokale në krye të Ministrisë së Financave dhe më pas Rindërtimit, Arben Ahmetaj foli në konferencën me temë "OPEN BALKAN - Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për Rajonin".
Shprehitë dhe portreti i tij në këtë dalje të parë pas shkarkimit ishin një konfirmim i asaj se çfarë ka ndodhur në takimin me Edi Ramën fill pas betimit të Bajram Begajt si ministër. Kryeministri ka mbledhur ministrat për të njoftuar ndryshimet, duke zgjedhur që të mos ja komunikojë paraprakisht Ahmetajt vendimin e marrë.
Një tjetër detaj që vihet re është dhe se ndryshe nga aktivitet e zhvilluara deri dje, fjalën e tij në aktivitetin e sotëm nuk e ka shpërndarë askush tjetër në rrjetet sociale, përveç tij, që tregon veç izolimit brenda partisë e mazhorancës, edhe izolimin virtual të Ahmetaj.
"Do ndaj me të ftuarit që janë prezent dhe për ata që na ndjekin online një prezantim të përgatitur nga ana ime për të ndarë situatën dhe disa ide që mendoj se janë të domosdoshme në krizën aktuale globale që ka goditur rëndë qoftë energjinë, qoftë rrugët e furnizimit me mallrat më të domosdoshme, madje dhe ato ushqimore dhe konseguencën jashtëzakonisht shumë të rëndë të inflancionit që nuk është një fenomen as lokal, as rajonal, por një fenomen global. Është konseguencë e inavazionit rus në Ukrainë dhe kompleksiteti i krijuar sigurisht që ka të bëjë me të gjitha vendet e përfshira direkt apo indirekt në atë luftë", tha Ahmetaj në fillim të konferencës.
Prej muajsh përflitej se Edi Rama ja kishte prerë biletën e largimit Arben Ahmetajt dhe dyshohej se pengesë për këtë mund të ishte Ilir Meta, që si President mund të mos e dekretonte këtë largim. Ky dyshim përforcohet nga fakti që direkt në ditën e parë të punës së Presidentit të ri, Edi Rama i çon për të firmosur largimin e Ahmetajt nga posti.