
Belinda Balluku tashmë është politikania më e pushtetshme në qeverinë Rama 3, kjo vjen pasi kryeministri i besoi postin e zëvendëskryeministres. Ky vendim i Ramës erdhi pasi shkarkoi Arben Ahmetaj të cilin e akuzonte si ‘spiun’ të LSI.
Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe me postin e ri zëvendës kryeministres, Belinda Ballukut e presin përpara disa sfida të mëdha duke nisur nga energjia e cila do jetë një nga betejat më të mëdha në punën e saj për shkak të krizës së paralajmëruar.
Disa ditë më parë kujtojmë se kryeministri Rama bëri me dije se qeveria ka bërë planin që qytetarët të kenë energji me orar, e cila do të vihet në zbatim në rast emergjence. Siç duket dhe nga postet që do mbart ajo është drejtuesja me më shumë pushtet duke filluar nga rrugët, energjia dhe firmosja e vendimeve të Këshillit të ministrave.
Kush është Belinda Balluku?
Belinda Balluku është Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nga janari 2019. Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2021, zonja Balluku u zgjodh deputete e Qarkut të Tiranës.
Para se të emërohej ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo ka qenë Drejtore e Përgjithshme e ALBCONTROL, Sh.A., Agjencia Kombëtare e Navigacionit Ajror të Republikës së Shqipërisë (2013-19).
Balluku është e diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillimi Ekonomik” në Shkollën Kennedy të Harvardit dhe ka diplomë nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të navigimit ajror (Air Navigation Services Management).
Ajo u diplomua në Miami, SHBA në CV e saj ka edhe një diplomë juridike dhe në vitin 1999 është diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Athinë, Departamenti i Administrimit të Biznesit. Znj. Balluku ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushën e sigurisë së aviacionit, telekomunikacionit, burimeve njerëzore, menaxhimit të pushtetit vendor dhe institucioneve drejtuese sociale.
Belinda Balluku ka mbajtur poste të larta drejtuese, fillimisht si Drejtoreshë e Kujdesit ndaj Klientit, ku themeloi për herë të parë në Shqipëri shërbimin Call Center dhe më pas Drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për AMC-në, znj. Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.
Në vitin 2004, Balluku iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më pas si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Që nga viti 2006, zonja Balluku është një pjesë e Partisë Socialiste.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.