Mariglend Doçi është kandidatura e parë për postin e kreut të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Aktualisht ai është anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe anëtari i Kryesisë së FRPD-së.
Kandidimin e tij e ka bërë me dije vetë Doçi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku bën thirrje për bashkimin e të gjithë të rinjve demokratë.
“Me besimin tek mbështetja juaj, me dëshirën e madhe për t’i dhënë një frymë ndryshe drejtimit të FRPD, unë shpall sot kandidaturën time për kryetar të FRPD-së! Shpresoj shumë që do kem mbështetjen tuaj, besimin tuaj të palëkundur, dhe ju ftoj t’i bashkoheni stafit tim të fushatës.
Asnjëherë nuk kam menduar se një njeri i vetëm mund të sjellë ndryshim. Gjithmonë kam pasur bindjen se kur njerëzit bëhen bashkë, gjithçka arrihet!
E për këtë arsye, ftoj secilin prej jush ti bashkohet stafit tim të fushatës. Mezi pres të dëgjoj idetë dhe mendimet tuaja. Gjithashtu, zotohem se do jem Kryetari i Forumit, që dëgjon të rinjtë, që nuk i braktis ata, dhe që bashkë me të gjithë ju, do jem në krye të betejave opozitare, pa bërë asnjë hap mbrapa. Zoti i bekoftë demokratët!”, shkruan Doçi në njoftimin e tij.
Mariglend Doçi ka kryer studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike. Ai është me origjinë nga Macukulli i Matit, por i lindur dhe banues në Mamurras. Mariglend Doçi, është një nga të rinjtë më aktivë të Forumit Rinor dhe që numëron plot 18 fletëthirrje nga Gjykata, për shkak të organizimit të protestave të Opozitës.
Kujtojmë se afati i fundit i aplikimeve për kandidatura për kreun e FRPD-së është 28 Korriku.