
Lulzim Basha vazhdon të japë llogari përpara deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për më shumë se pesë orë e gjysmë.
Mbledhja është shoqëruar me debate dhe nga aq informacione sa kanë rrjedhur prej saj, vetëm deputetja Orjola Pampuri i ka dalë në krah. Madje, Basha është lënë në baltë në këtë mbledhje edhe nga Gazmend Bardhi, Enkelejd Aliebaj dhe Grida Duma.
Deputetë të tjerë, Tomor Alizoti, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Ervin Salianji, Dash Sula, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Enkelejd Alibeaj, Ferdinand Xhaferi, Ina Zhupa kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Bashës duke kërkuar që PD të futet në zgjedhje për kreun e saj të ri.
Diskutimet po shkojnë drejt fundit dhe në përfundim pritet një vendim i Bashës, i cili gjatë diskutimeve nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke u shprehur ‘i gatshëm për çdo vendim në të mirë të PD-së dhe interesave të demokratëve’.
Mbledhja vijoi me tone të ashpra ku gjatë mesditës u shënua edhe një incident me deputetin Ervin Salianji, i cili pati debate të forta me Orjola Pampurin dhe vetë Lulzim Bashën. Mësohet se teksa Salianji kërkoi largimin e Bashës për shkak të rezultateve të dobta në zgjedhje, Pampuri bëri përgjegjës të gjithë Grupin Parlamentar gjë që ka shkaktuar reagimin e deputetit të qarkut të Korçës.
Ndërkohë, në korridoret e selisë ka pasur përplasje edhe me militanten e PD-së, Drita Lamaj, që ka goditur me shpullë deputetin Salianji.