
Presidenti Ilir Meta thotë se ka një marrëveshje të heshtur mes mazhorancës dhe opozitës për të zhvendosur vëmendjen nga problematika e rritjes së çmimeve në përgjithësi dhe të naftës në veçanti.
Në një intervistë për A2CNN Meta kërkoi që të marrë fund, “kompromisi i heshtur”, siç e quajti ai, mes faktorëve politikë në vend për të zhvendosur vëmendjen larg probleme reale të vendit.
“Unë kam kërkuar që parlamenti të rrisë rolin e tij, jo vetëm monitorues, por edhe kontrollues, në mënyrë që kjo situatë spekulative në treg të marrë fund. Kompromisi i heshtur mes aktorëve politikë për një kohë të gjatë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të marrë fund kjo lloj heshtje dhe secili të bëjë detyrën e tij për të rritur transparencën”, tha Meta.
Presidenti deklaroi se mbështet mesazhet e konfindustrisë për shoqërinë civile.
“Në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, kam ngritur shqetësime serioze sa i përket dobësimit të ekonomisë tonë, e cila nuk mund të mbulohet nga retorika vetëlavdëruese e qeverisë”, deklaroi ai.