
Presidenti Ilir Meta nuk i druhet një vendimi për shkarkimin e tij nga Gjykata Kushtetuese.
“As kam pasur dhe as nuk do të kem ndonjëherë shqetësim se çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese me këtë çështje. Nuk mendoj se ka ndonjë qytetar në Shqipëri që nuk e ka të qartë, se ky është një proces i bazuar në nenin e agjitacionit e propagandës.
Kushtetuta është shumë e qartë se kur shkarkohet presidenti, vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Shkelje e rëndë e Kushtetutës është ajo kur presidenti cenon integritetin e vendit, të nxjerrë ndonjë sekret shtetëror, i cili është në funksion të armiqve, të cenojë interesin e shqiptarëve. Për mua është shumë e qartë se thelbi i të gjithë këtij procesi gjatë këtyre 3 viteve është pikërisht kjo: Ilir Meta duhet ndëshkuar sepse ka shkatërruar plane të armiqve të Shqipërisë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, që ne e kemi detyrë kombëtare që ta mbrojmë. Prandaj nuk më shqetëson qëllim i tyre”, tha Meta në një intervistë për A2CNN.