Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka përjashtuar Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës nga zgjedhjet e 6 marsit. Ai e regjistroi koalicionin 'Shtëpia e Lirisë' vetëm me LSI dhe Nard Ndokën.
Menjëherë pas këtij vendimi ka ardhur reagimi nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi me një postim në Twitter, Bardhi thotë se me 6 mars ka vetëm një PD dhe se demokratët nuk i lidh asgjë me “Shtëpinë e Ilirit”.
"Përtej çdo makinacioni dhe mashtrimi politik, në 6 Mars ka vetëm një Parti Demokratike në zgjedhje. KQZ sapo zyrtarizoi koalicionin “Shtëpia e Ilirit”, me parti përbërëse vetëm LSI e Monika Kryemadhit dhe PDK e Nard Ndokës. Demokratët nuk i lidh asgjë me “Shtëpinë e Ilirit”. Koha ku demokratët strehoheshin në “Shtëpinë e Ilirit”, për interesa të rritjes së pazarit të tij me Edi Ramën ka përfunduar! Koha që nëpërmjet rritjes së LSI me demokratë të dhënë borxh, t’i shërbehet pushtetit të Edi Ramës ka përfunduar. Partia Demokratike është shtëpia e vetme e demokratëve", shkruan Bardhi.