
Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim përmes një mesazhi në Twitter thotë se “Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit janë prioritetet e SHBA në Shqipëri.
Ne mirëpresim vijimin e komisionit parlamentar për inceneratorët. Ambasadorja thekson se “Llogaridhënia ka rëndësi kyçe për demokracinë”.
Në pamje të parë duket si një mesazh rutinë në vazhdën e të shumtëve mesazhe të ambasadores Kim për nevojën e thellimit të luftës ndaj korrupsionit.
Në fakt nuk është kështu.
Nga burime diplomatike Top Channel ka mësuar se ambasadorja Kim, pasditen e të enjtes ka zhvilluar një takim me Taulant Ballën dhe Enkelejd Alibeajn, respektivisht kryetarë të grupeve parlamentare të PS dhe PD.
Takimi thanë të njëjtat burime në dijeni të asaj çfarë është biseduar, ka patur fokus zhbllokimin e situatës së krijuar me komisionin parlamentar për hetimin e Inceneratorëve dhe për miratimin e ndryshimit kushtetues për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut.
Ambasadorja Yuri Kim ka ndërmjetësuar zgjidhjen e kësaj situate.
Top Channel mëson se rezultati që ka prodhuar ky takim, zhvilluar larg vëmendjes së publikut është ky.
Taulant Balla është dakordësuar se ka hapësira në rregulloren e Kuvendit që lejojnë shtyrjen e punës të komisionit hetimor për inceneratorët, siç kërkon PD.
Nga ana tjetër mësohet se Enkelejd Alibeaj është angazhuar për të votuar ndryshimin kushtetues me 94 vota, ku duhen edhe votat e PD.
Në të tilla kushte, takimi i ndërmjetësuar prej Yuri Kim ka prodhuar një happy end, për Ballën dhe Alibeajn.
Siç edhe amerikanët thonë, një fitore “Win Win” për të dyja palët.