Këshilltari i PL votoi kandidaten e PS. Meta i shkon në Himarë dhe bën plazh me të

30 March 2024, 17:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Këshilltari i PL votoi kandidaten e PS. Meta i shkon në Himarë
Ilir Meta me Timoleo Gërdhuqin

Një ditë pas votimit mes tensionesh të kryetares së komanduar të Bashkisë së Himarës, Blerina Bala, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndaluar në bashkinë e Himarë. Në pamjet filmike të publikuara prej tij në rrjetet sociale, Meta shfaqet në shoqërinë e Timoleo Gërdhuqi, këshilltar bashkiak i Partisë së Lirisë në Himarë.

“Në Porto Palermo me Timo Trimin, kryekeshilltarin tonë në Bashkinë e Himarës, ku sot uji ishte më i ftohtë se akulli, por vetëm ne fillim se pastaj s’të iket’, shkruan Meta krahas videos së publikuar.

Gërdhuqi ishte një nga gjashtë anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak i cili votoi për nënkryetaren e bashkisë, Blerina Bala e cila pas sigurimit të kuorumit të nevojshëm të votave u komandua në krye të Himarës deri në zgjedhjet e reja vendore.

Kandidati i koalicionit të Ilir Metës dhe Sali Berishës në zgjedhjet lokale të 14 majit, Fredi Beleri nga qelitë e burgut, ku po qëndron që prej 12 majit si i dyshuar për korrupsion zgjedhor e cilësoi procesin e ndjekur në Himarë, si një lëmsh juridik të krijuar qëllimisht teksa kërkoi të lejohet betimi i tij si kryebashkiak. Më herët Beleri ka kërkuar që në rast të domosdoshmërisë së komandimit të një kryetari, ai të ishte një nga këshilltarët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, gjë që nuk u konsiderua pasi nuk parashikohet nga ligji për pushtetin vendor.

Një ditë pas zhvillimeve në Himarë, qëndrimi publik i Ilir Metës, një prej kryetarëve të subjeve zgjedhore të koalicionit që pati për kandidat Belerin, është krah këshilltarit bashkiak të Partisë së Lirisë, i cili votoi Blerina Balën si kryetare të komanduar.


Video