
Agron Kapllanaj, i cili u komandua nga Lulzim Basha si kreu i degës së PD në Fier, e konsideron Kuvendin e 30 Prillit si një shfaqje të radhës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe sipas tij, ky i fundit ka hedhur themelet e krijimit të një partie të re.
Lidhur me rikthimin e figurave të njohura si Jozefina Topalli apo Arben Imami, Kapllanaj deklaroi se ata i kanë shkaktuar humbjen PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
"Berisha bëri atë shfaqjen e rradhës dhe nuk ka asgjë të re përveçse ka hedhur themelet e një partie të re. Janë rikthyer pranë doktorit të gjithë ata që i kanë shkaktuar humbjen PD-së në 25 Prill. Këtu më lind dyshimi se ata këtë gjë e kanë bërë me miratimin e doktorit. Fakti që kanë shkuar në foltoret e tij, do të thotë se ata kanë marrë miratimin e tij. Ose mbase nuk e dinë akoma se nga listat e deputetëve i ka hequr vetë ai." tha Kapllanaj për Faxnews.
Në lidhje me refuzimin që u bë nga 35 deputetët e PD, Kapllanaj tha se Kuvendi i 30 Prillit nuk përfaqëson demokratët.
"Unë sapo e dëgjova atë ditë u ndjeva mirë. Sepse deputetët e PD kanë marrë votat jo vetëm të demokratëve. Kuvendi i mbajtur nga Berisha nuk përfaqëson demokratët. Demokratët janë përfaqësuar nga ata 35 deputetë që refuzuan të ishin pjesë e atij Kuvendi." - tha Kapllanaj