Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka treguar arsyen pse kallëzimin sot në SPAK për Autoritetin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e dorëzoi me emrin “Ilir Metaj”.
I pyetur gjatë konferencës me gazetarët lidhur mbi këtë detaj, Meta tha se kallëzimin e ka bërë me gjeneralitetet e tij të pandryshuara, për të mos i dhënë pretekst SPAK-ut që të vonojë hetimet ndaj Autoritetit të Dosjeve.
“E kam zgjedhur për të mos i krijuar askujt asnjë farë preteksti, qoftë edhe formal që të krijojë vonesa për këtë hetim të menjëhershëm i cili do të kontribuojë në shpartallimin e një komploti kundër shpartallimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Ju e dini nuk e kam ndryshuar kurrë emrin, ai që e ka ndryshuar e dini se ka patur vështirësi me ligjin. Ilir Metaj as e ka ndryshuar as nuk e ka fshehur”, deklaroi Meta.
Kujtojmë se mbiemri i ish-presidentit ka qenë pjesë e hetimeve të dy prokurorëve të SPAK, kjo dhe për shkak se në shumë shkresa zyrtare dhe dekrete, ai ka firmosur me “Ilir Meta”.