Irfan Hysenbelliu, drejtuesi i grupit mediatik “Focus Group”, ku bëjnë pjesë News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare Online, ka reaguar pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit dhe sekuestrimit të godinës nga shteti për t’i kaluar kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve, “KAYO”.
Në deklaratën publike, Irfan Hysenbelliu e ka cilësuar veprimin si të paprecedentë dhe një shkelje flagrante të lirisë së shtypit.
“Pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik. Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.”
Drejtuesi i grupit mediatik “Focus Group” garanton gazetarët se media nuk do të mbyllet.
“Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë. News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.”
Ndër të tjera, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve që i ka quajtur “represive” dhe rikthimin e sinjalit televiziv, si dhe lejimin e gazetarëve të kthehen në punë.
Më herët, ministria e Ekonomisë ka sqaruar se pretendimet e Panorama Group, që pretendon se ka kontratë qeraje deri në 2033, ka një borxh prej 2 milionë eurosh të akumuluar që nga viti 2017 për mospagimin e qirasë së objektit.
Reagimi i plotë i Hysenbelliut:
Si botues i “Focus Group”, i News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare Online dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.
Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.
Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.
Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.
Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.
Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.
News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.
Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.
I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.
News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë!
Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.