Konflikti për News24, kompania “Kayo” sqaron ku shkuan materialet e marra në godinë: Janë inventarizuar të gjitha

12 August 2025, 14:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Konflikti për News24, kompania “Kayo” sqaron ku shkuan
Hiqet me vinç logo e News24

Kompania shtetërore e prodhimit të armëve “Kayo”, ka dhënë versionin zyrtar për veprimet e ndërmarra gjatë ditëve të fundit në godinën e Fokus Media Group.

Në një komunikatë për mediat, Kayo sqaron se të gjitha materialet e gjendura brenda godinës ku janë televizionet News 24, Panorama TV dhe gazetar Panorama dhe Shqiptare janë bërë nën mbikëqyrjen e forcave të armatosura, duke inventarizuar të gjitha materialet e nxjerra prej ndërtesës.

“Lirimi i ndërtesës është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të forcave të armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj. Pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta”, thotë kompania “Kayo”.

Ky reagim vjen pas pretendimeve nga përfaqësues të Fokus Media Group, të cilët publikisht akuzuan se veprimet e Kayo ishin në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, materialet e nxjerra sipas kompanisë shtetërore, janë transferuar pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës dhe i bëjnë thirrje administratorit të Fokus Media Group që të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar “për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt. Kayo sh.a i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale”.

 

Konflikti për News24, kompania “Kayo” sqaron ku shkuan


Video