Një i moshuar ka humbur jetën këtë të martë, më 12 gusht, si pasojë e zjarreve në Gramsh.
Policia ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i moshuari rreth 80 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit.
Sipas policisë, ai kishte “ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.”
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Situata e zjarreve në Gramsh ka dalë nga kontrolli paraditen e sotme, me Ministrinë e Mbrojtjes që ka përsëritur disa herë thirrjen urgjente ndaj banorëve të tri fshatrave që të largohen.
Situata ka shkaktuar kaos te qytetarët.
Ndërkohë para urgjencës janë mbledhur njerëz të traumatizuar duke qarë se nuk gjejnë familjarët.