Fredi Beleri reagon pas amendamentit të BE-së: Falenderoj eurodeputetët për mbështetjen

12 July 2023, 21:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fredi Beleri reagon pas amendamentit të BE-së: Falenderoj
Fredi Beleri

Kandidati i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka reaguar pas miratimit në Parlamentin Europian të një amendamenti të paraqitur nga Greqia ku shprhet shqetësimi për arrestimin e tij.

“Falënderoj përzemërsisht eurodeputetët e Parlamentit Europian për mbështetjen e përpjekjeve të mia për demokraci, shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Himarë, në Shqipëri. Fredi Beleri”, shkruhet në faqen e Belerit në rrjetet sociale.

Kujtojmë se Beleri qëndron pas hekurave me akuzën e korrupsionit në zgjedhje, pasi u kap në flagrancë duke blerë 8 vota për 40 mijë lekë.

Në tekstin e miratuar nga Parlamenti Europian thuhet se Beleri prezumohet i pafajshëm dhe si rrjedhojë i janë mohuar të drejtat themelore.

 “Parlamenti Europian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, i cili shkeli prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kesaj dite, nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesetarëve të minoritetit etnik grek në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti”, thuhet në arsyetimin e vendimit për miratimin e amendamentit.

Beleri nuk është personazh i panjohur për publikun. Me origjinë nga Progonati, një fshat malor mes Gjirokastrës dhe Tepelenës, ai është akuzuar se ka qenë pjesë e organizatës terroriste MAVI, që sulmoi dhe vrau dy ushtarakë shqiptarë në Peshkëpi.


Video