Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar në selinë blu, pas seancës së sotme me tone të ashpra në Kuvend, ku opozita kishte kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për skandalin "McGonigal", por ky i fundit nuk u paraqit në sallë.
Mbledhja e grupit ka nisur me fjalën e Luçiano Boçit, i cili ka bërë me dije se kanë mbledhur 43 firma nga deputetët e PD-së për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në lidhje me këtë çështje. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Berishës, Boçi tha se nuk do ta ndalin aksionin e tij ndonëse Rama nuk shkoi në kuvend për të folur mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Burime bëjnë me dije se për ngritjen e Komisionit Hetimor kanë firmosur deputetët e të dyja palëve të PD-së.
"Kanë refuzuar mocionin me debat sikurse kanë bërë javën e kaluar. Kanë refuzuar pjesëmarrjen në interpelancë, por aksioni ynë nuk përfundon këtu. Kemi kërkuar ngritjen e komisionit hetimor. Janë mbledhur mbi 43 firma. Kreu i grupit të PS ka deklaruar që kërkesa do refuzohet ndërkohë që gjykata kushtetuese është shprehur qartë që ngritja s’mund të ndalohet nga Parlamentin", tha Boçi.