Kuvendi është kthyer në një kaos, pasi jo vetëm deputetët e grupimit të Berishës, por edhe ata të Alibeajt kanë shkuar dhe kanë bllokuar foltoren.
Shkak ka qenë shmangja e diskutimeve për rastin "McGonigal", pasi opozita nuk pranonte që ta bënte interpelancën me ministren Elisa Spiropali.
Në këtë moment, deputeti Gazment Bardhi e ka konsideruar kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla si "kukull" dhe ajo e ka përjashtuar nga seanca.
Me kërkesë të Taulant Balla, mazhorancas ka votuar pro që të kalohet pa diskutim, por direkt në votim të pikave të tjera të rendit të ditës. Ndërkohë deputeti Bledjon Nallbati është shfaqur me bilbil në seancë.
Gazment Bardhi: Procedurë është. Kjo seancë ka një orë që është marrë peng nga kryeministri Edi Rama. Ju duhet të ngriheni në lartësinë e detyrës. Rama mos fshihet pas Twitter, nëse ka gjëra për të thënë lidhur me këtë, të vijë.
Nikolla i heq fjalën: As kjo nuk është për procedurë. Konsiderohet që jeni tërhequr nga interpelanca, nuk pranoni ta zhvilloni me zonjën Spiropali. Nuk ua jap fjalën, ua dhashë. Nuk pranoni të zhvilloni interpelancën, nuk ka pse ta marrësh më fjalën. E sqaruat qendrimin tuaj mëse një herë. Vijojmë me pikën tjetër të rëndit të ditës.
Deputetët e opozitës i bien tavolinave: Turp, turp.
Ndërkohë që Nikolla i jep fjalën ministrit Niko Peleshi: Kryeministri ka deleguar, e sqaruam, nuk mund të rrimë gjithë ditën duke të sqaruar ty, nuk ke dëshirë të vazhdosh normalisht Kuvendin.
Bardhi afrohet tek ministri Peleshi dhe Garda e pengon.
Nikolla: Ju tërheq vërejtjen, jeni i përjashtuar nga seanca plenare kaq.