Dosja e SPAK për Berishën/ Ish-Kryeministri ndryshoi disa herë ligjin për të favorizuar Malltezin!

22 October 2023, 14:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dosja e SPAK për Berishën/ Ish-Kryeministri ndryshoi disa herë
Sali Berisha/ Jamarber Malltezi

Dosja e plotë e SPAK me akuzën e korrupsionit të Sali Berishës për të favorizuar dhëndërin e tij në përfitimin e ish-kompleksit sportiv në pronësi të klubit të Partizanit zbardh një mori detajesh të veprimeve dhe mosveprimeve të tij si Kryeministër dhe drejtues i mazhorancës në 2005-n.

Mes veprimeve, sipas dosjes së SPAK është ndërhyrja për zgjatjen e afateve të aplikimit të ligjit të 2004-s për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Neni 19 i ligjit, që ishte miratuar në vitin 2004 nga shumica socialiste parashikonte që subjektet e shpronësuara për fitimin e të drejtave të parashikuara prej tij kishin afat një vit për të paraqitur kërkesat e reja për kthim, apo kompensim prone.

Ligji ka hyrë në fuqi me 31 gusht të 2004, që do të thotë se afati për aplikimet ishte deri më 15 shtator të vitit 2005. Në maj, mazhoranca socialiste e ndryshon afatin e aplikimit në dyvjeçar, deri më 15 shtator të vitit 2006.

SPAK thotë se për t’u ardhur në ndihmë familjeve që kërkonin pronësinë e ish-kompleksit Partizani, që përmes prokurave kishin autorizuar Jamarbër Malltezin që t’i përfaqësonte, qeveria e Berishës propozon ndryshim të ligjit në vitin 2006.

Sipas ndryshimeve të reja, në nenin 17 pika 1 e ligjit u përcaktua se subjektet e shpronësuara për fitimin e të drejtave të pronave të tyre kanë të drejtë që të depozitojnë kërkesat e reja deri në datën 1 tetor të vitit 2007.

Përveç kësaj, SPAK thotë se me ndryshimet e korrikut 2006 të propozuara po nga qeveria e Sali Berishës u hoq parashikimi që ndalonte marrjen e pronësisë së pronave të ushtrisë.

Ky nen u ndryshua duke parashikuar që objekt kthimi e privatizimi mund të ishin edhe pronat e Forcave të Armatosura që nuk janë pjesë e planit të përhapjes së ushtrisë, të miratuar nga Presidenti i Republikës.

SPAK vlerëson se edhe ndryshimet e tjera ligjore dhe nxjerrja e vendimeve të reja të Këshillit të Ministrave, që çuan në themelimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë bërë për të favorizuar familjet pretendente për përfitimin e pronës së ish-kompleksit Partizani.

SPAK thotë se ndryshimet rritën pushtetin e Berishës mbi këtë agjenci, ku në të paktën dy raste u punësuan më vonë persona që ishin marrë me përgatitjen e dosjeve të ish-pronarëve që kërkonin marrjen e kompleksit.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video