Dënimi i Tahirit, heshtje nga PS: A e “shitën” miqtë ish-ministrin “kampion”?

5 February 2022, 08:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dënimi i Tahirit, heshtje nga PS: A e “shitën” miqtë

Saimir Tahiri është i dyti ish-ministër i një qeverie të drejtuar nga kryeministri Edi Rama që shkon në burg, pas Lefter Kokës. Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi Tahirin me 3 vjet e 4 muaj burg.

E ndërsa opozita dhe ambasadorja amerikane reaguan menjëherë pas dhënies së dënimit, ra në sy heshtja e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, nga kryeministri Edi Rama e deri tek Erion Braçe e Taulant Balla që reagojnë për çdo gjë të mundshme.

Mësohet se kryeministri Edi Rama e ka marrë vesh lajmin për dënimin me burg për ish-ministrin e Brendshëm, ndërsa ishte në një takim pune. Në momentin kur në Apelin e GJKKO-së, Rama ndodhej te Vila 31 në zonën e ish-Bllokut, në një takim me drejtues të Ministrisë së Bujqësisë.

Edhe pas dënimit, nga ana e Edi Ramës nuk ka pasur asnjë reagim. Madje sikur dënimi i Tahirit të mos kishte ndodhur, Edi Rama postoi në Facebook se mbi 130 mijë qytetarë kanë dhënë përgjigjet për 12 pyetjet që adreson qeveria shqiptare në Këshillimin Kombëtar.

Ndërsa sot në mëngjes ka postuar disa foto nga Voskopoja.

Ndryshe paraqitej situata tre vite më parë, kur kryeministri Edi Rama edhe pse e kishte përjashtuar nga Partia Socialiste shkoi deri aty saqë i kërkoi gazetarëve që t’i kërkonin falje Tahirit, për lajmet dhe akuzat që kishin pasqyruar ndaj tij në media, duke i cilësuar akuzat ndaj Saimir Tahirit si kazan.

Por pas tri vitesh çfarë ka ndodhur?

Përgjigjet janë dy; e para, PS nuk e cilëson më si të “vetin” Tahirin, të cilin e patën e cilësuar dhe si ministri “kampion” dhe përgjigjja e dytë, sipas burimeve nga selia rozë, Rama po përgatit një shënim për këtë ngjarje, por nuk do ta marrë më nën mbrojtje totale si para disa vitesh. Ndërsa deputetët e tjerë socialistë presin dritën jeshile nga shefi i qeverisë për të reaguar për ish-kolegun e tyre.

I vetmi që ka dalë nga kori ishte ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, që u solidarizua me Tahirin pas u shpall fajtor.

I dashur Saimir! Edhe pse sot,duke e njohur mirë karakterin tënd në ditë dhe kohë të vështira, kisha shpresë dhe besim se e drejta jote do triumfonte, prisja të të takoja dhe të të përqafoja nga afër, unë prapë do të të pres vëlla! Ti je i fortë! Sprovat të bëjnë edhe më të fortë! Kurajo dhe durim miku im i shtrenjtë!”, shkruante Gjika në rrjetet sociale.

Si u fundos Saimir Tahiri

Saimir Tahiri u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2009, por zgjedhjet u humbën nga PS. Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, Tahiri u emërua ministër i brendshëm në qeverinë e koalicionit PS-LSI.

Ai është deri më sot ministri më jetëgjatë në postin e punëve të brendshme në demokracinë 30-vjeçare të Shqipërisë.

Tahiri arriti të hynte në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë kur Kryeministri Rama takoi presidentin Obama. Ai e mbajti këtë detyrë deri më mars të vitit 2017.

Mbushja e vendit me kanabis në vitin 2016 tronditi besimin e publikut dhe zërat se partnerët ndërkombëtarë kërkonin largimin e tij u shtuan.

Pas protestës së opozitës në bulevard, kryeministri Edi Rama, 3 muaj para zgjedhjeve të 2017 vendosi ta shkarkonte.

Në zgjedhjet e 2017, Tahiri udhëhoqi fushatën në Tiranë si kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në tetor të atij viti, emri i tij u lakua nga disa trafikantë kushërinj të tij në përgjimet e policisë italiane.

Me publikimin e këtyre përgjimeve Prokuroria krijoi bindjen se ai kishte favorizuar trafikun e kanabisit.

Me këtë pretendim, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin, por parlamenti me shumicë socialiste e pengoi duke e shpëtuar nga qelia.

Me procesin hetimor që po vazhdonte, Saimir Tahiri vendosi që më 3 maj te vitit 2018 të hiqte dorë nga mandati i deputetit për t’u përballur me drejtësinë si njeri i lirë.

Në 27 shkurt 2019, pas më shumë se dy vite hetimesh, ish-ministri Tahiri merret si i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokuroria kërkoi 12 vjet burg për ish-ministrin me akuzat e korrupsionit, trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Në 19 shtator 2019 Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi akuzat ndaj Tahirit, duke e dënuar me 5 vite burg vetëm për shpërdorim detyre.

Me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3.4 vite burgim, dënim të cilin gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove periudhë gjatë të cilës ish-ministri nuk duhet të kryente asnjë vepër penale.

Prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda.

Në 26 qershor 2020, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi të kthejë për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Në 4 shkurt 2022, Gjykatën e Posaçme të Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të vitit 2019, duke hequr shërbimin e provës.

Përfundimisht ish-ministri u dënua me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, nga të cilat do të kryejë 3 vjet e 4 muaj burg.


Video