
Ndryshimet e Kodit Etik Ministror u ndalojnë ministrave që të shkojnë në kazino dhe të takohen me biznesmenë jashtë qëllimeve zyrtare. Kodi u ndalon gjithashtu edhe deklaratat publike, apo në rrjetet sociale pa miratimin Agjencisë për Media dhe Komunikim.
Duke u nisur nga përmbajtja e këtij kodi, analisti Baton Haxhiu thotë se nëse do të ishte ministër nuk do ta zbatonte.
“Kodi Etik i trajton ministrat si njerëz pa ndërgjegje dhe që s’kanë besim në publik. Ky kod etik spikat rrënimin e ndërgjegjes për ata që drejtojnë ministritë”, deklaron ai.
Sipas tij, Kodi tregon që Rama nuk ka besim të ministrat e tij dhe i paragjykon ata si të korruptuar.
“Si mund t’i thuash ministrit nuk duhet të shkosh në kazino? Nuk kemi për t’u takuar me biznesmenë. T’i paraprakisht e paragjykon se është i korruptuar”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se përcaktimi i disa rregullave të detajuara, tregon se shumë ministra janë persona pa ndërgjegje.