Jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe kudo në botë është festuar Jubileu i Platintë i Mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elisabet II. Edhe ambasada Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë ka organizuar një pritje me këtë rast.
E gjithë elita politike e Tiranës ishte e ftuar në nderimin e 70 viteve mbretërim të monarkes më jetëgjatë në historinë e Britanisë, me përjashtim të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili edhe pse tashmë është kryetar i Partisë Demokratike mesazhet e mos pranimit po i merr nga e gjithë bota perëndimore.
Të pranishëm ishin Presidenti Ilir Meta, ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha (një prej daljeve të rralla që pas dorëheqjes së tij) dhe drejtuesi i grupit parlamentar Enkeled Alibeaj, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, kryetari i grupit të PS Taulant Balla, thuajse e gjithë qeveria, gazetarë, deputetë, diplomatë etj, ndërkohë që nga Komisioni i Rithemelimit shikohet të jetë i ftuar vetëm Ivi Kaso. Ndërkohë që Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm sepse ndodhet në Ohër të samiti i ‘Ballkanit të Hapur’. I ftuar ka qenë edhe Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka pasur një shtrëngim duarsh me presidentin aktual Meta.
Nën tingujt e muzikës britanike, duke lënë pas përplasjet politike ka pasur edhe takime të përzemërta mes politikanëve. Një përshëndetje mes Kryemadhi dhe Ballës, një përqafim i Veliajt dhe Spiropalit ishin disa nga momentet e ngrohta.
Ndërkohë që nga pamjet e siguruara nga Report Tv ka edhe një “ironi” të Ilir Metës ndaj zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa ia prezanton atë ambasadorit britanik me pseudonimin ‘tigri’.
I pranishëm në ceremoni e organizuar sot në Hotel Rogner ishte edhe i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, e cili ka nisur sot vizitën dy-ditore në Shqipëri.