
Kryeministri Edi Rama ka folur për qëndrimin e një pjese të shoqërisë ndaj dhunës, duke e lidhur shqetësimin e tij edhe me zhvillimet e fundit gjatë protestave. Ai u shpreh se dhuna po relativizohet dhe justifikohet, ndërsa theksoi nevojën për më shumë angazhim në parandalimin e saj dhe në krimin e aktiviteteve që përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama kërkoi bashkëpunim mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, duke u ndalur edhe te zgjerimi i aktiviteteve sportive, kulturore dhe artistike për fëmijët.
Në këtë kuadër, kryeministri njoftoi se nga viti i ardhshëm do të nisë zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00. Sipas tij, për këtë qëllim është parashikuar një buxhet në mënyrë që prindërit të mund të vijojnë punën, ndërsa fëmijët të kenë më shumë kohë dhe mundësi për t’u angazhuar në aktivitete brenda shkollës.
“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci, që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar.
Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh dhe shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve, nga sporti te kultura, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë.
Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, u shpreh Rama.