
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin dhe pas bisedës ai deklaroi se takimi ishte “i përzemërt dhe i suksesshëm”.
“Presidenti Xi më ftoi personalisht për një vizitë shtetërore në Kinë në një bisedë të shkurtër. Do të vijmë për një vizitë zyrtare shtetërore në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha Vuçiç.
Ai po ashtu u mburr se udhëheqësi kinez e zgjati takimin me 15 minuta shtesë dhe foli jashtë kornizës së protokollit, “gjë që e bën vetëm kur bëhet fjalë për miq”.
Vuçiç tha se i foli Xi-së për historinë e popullit serb dhe rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore. “I tregova se si populli serb u ngrit kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore… Që njerëzit të dinë se populli serb ishte bartës i luftës kundër fashizmit“, tha ai.