Putin trondit Perëndimin, kërcënon se do sulmojë ushtarët e NATO-s

5 September 2025, 16:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Putin trondit Perëndimin, kërcënon se do sulmojë
Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi se do të sulmojë trupat ushtarake të NATO-s që shkelin në Ukrainë, çka mund të çojë në shpërthimin e një lufte të tretë botërore.

“Nëse trupa të tillë shfaqen atje, sidomos tani që janë duke u kryer operacione ushtarake, ne do t’i konsiderojmë ato si objektiva të ligjshme ushtarake. Nëse arrihet një marrëveshje për paqe afatgjatë, nuk shoh asnjë arsye për praninë e tyre në territorin e Ukrainës. Pikë!”

Kërcënimin e bëri pasi 26 vende europiane anëtare të NATO-s u angazhuan të enjten në Paris për të dërguar ushtarë në Ukrainë si garantë të sigurisë dhe zbatimit të marrëveshjes së paqes.

Gjatë fjalës në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok këtë të premte, Putin reagoi edhe për deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, i cili tha se nuk ka pse të pyetet Rusia për planin e dërgimit të ushtarëve perëndimorë, pasi Ukraina është vend sovran.

“Ukraina vendos vetë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ka vullnetin e ligjshëm të vendosë për marrëdhëniet ndërkombëtare, të mbrojë interesat ekonomike dhe të krijojë aleanca, por anëtarësimi në NATO është i papranueshëm. Çështja nuk zgjidhet pa llogaritur sigurinë e Rusisë.”

Putin bëri shaka, po ashtu, duke thënë se Zelenskin mund ta takojë për bisedime paqeje në këtë fazë vetëm në Moskë, një alternativë që presidenti ukrainas e refuzon kategorikisht, pasi kjo do të konsiderohej nënshtrim politik i Kievit.

Më herët, Kremlini hodhi poshtë shpresat e shefit të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se tani për tani nuk është përmbushur asnjë kusht për një takim Putin–Zelensky.


Video