
Ukraina thotë se po përgatitet për një fazë të gjatë e të vështirë të luftës me Rusinë dhe ministri i Mbrojtes, Oleksiy Reznikov deklaroi përmes Facebook se shpreson që të armatosen një milion luftëtarë.
Reznikov vuri në dukje se Ukraina "do të duhet të planifikojë me përpikëri burimet" dhe "të shmangë gabimet" në mënyrë që të fitojë luftën. Tashmë, tha ai, Rusia ka pësuar një "disfatë strategjike".
Ardhja e armëve të huaja dhe "shtimi i prodhimeve ushtarake vendase” do të ndihmonte më tej të prishë ekuilibrin kundër Rusisë, vazhdoi ai.
Por para kësaj, Ukraina po përballej me javë jashtëzakonisht të vështira përpara.
"Askush nuk mund të thotë se sa do të zgjasë. Në atë periudhë, ne do të mbajmë mbrojtjen kryesisht me burimet tona kundër armikut të tërbuar nga inati", parashikoi ai.
"Rritja e presionit të sanksioneve kundër Rusisë dhe rritja e ndihmës së huaj për Ukrainën duhet të krijojë, brenda disa muajve, kushtet në të cilat Kremlini më në fund do të humbasë të gjitha shanset për të arritur ndonjë sukses. Më pas do të shfaqet një dritare e re mundësish për Ukrainën. Në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, na duhet unitet, kohezion, vullnet dhe durim”, përfundoi ai.