
SHBA njoftuan mbylljen e Ambasadës në Kiev dhe zhvendosjen e saj në qytetin e Lvivit, në perëndim të Ukrainës dhe pranë kufirit me Poloninë.
Vendimi është njoftuar nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
“SHBA po mbyllin Ambasadën në Kiev dhe po zhvendosin përkohësisht numrin e vogël të personelit diplomatik të mbetur në Ukrainë në qytetin e Lvivit, në Ukrainën Perëndimore për shkak të përshpejtimit dramatik të përqëndrimit të forcave ruse në kufijtë e vendit”, tha Blinken.
"Kam urdhëruar këto masa për arsye sigurie për stafit tonë dhe ne i bëjmë thirrje me forcë çdo shtetasi të mbetur amerikan në Ukrainë që të largohet menjëherë nga vendi", tha Blinken në një deklaratë.
"Këto masa paraprake të kujdesshme në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen tonë ose angazhimin tonë ndaj Ukrainës. Përkushtimi ynë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës është i palëkundur", tha ai.
"Ne gjithashtu vazhdojmë përpjekjet tona të sinqerta për të arritur një zgjidhje diplomatike dhe mbetemi të angazhuar me qeverinë ruse pas telefonatës së Presidentit Biden me Presidentin Putin dhe diskutimit tim me Ministrin e Jashtëm Lavrov”, vijoi ai.
Lëvizjet vijnë disa ditë pasi SHBA urdhëroi shumicën dërrmuese të punonjësve të qeverisë amerikane të largoheshin nga vendi dhe njoftuan se shërbimet konsullore në Ambasadën e SHBA do të pezulloheshin që nga e diela. Departamenti i Shtetit tha këtë fundjavë se do të mbajë një prani të vogël konsullore në Lviv për shërbimet e urgjencës.
Zyrtarët amerikanë u kanë bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Ukraina, duke paralajmëruar se një pushtim rus do të vijë në çdo moment, duke përfshirë edhe këtë javë.