Johnson i përgjigjet Rusisë: Aspirata e Ukrainës për anëtarësim në NATO nuk negociohet

14 February 2022, 17:01Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Johnson i përgjigjet Rusisë: Aspirata e Ukrainës për

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i bën thirrje Vladimir Putinit të tërhiqet nga humnera duke e quajtur situatën shumë të rrezikshme nëse Rusia planifikon pushtimin e Ukrainës në 48 orët e ardhshme.

”Situata është shumë e rrezikshme dhe e vështirë, ne jemi në buzë të greminës, por ka ende kohë që presidenti Putin të tërhiqet”, theksoi Boris Johnson.

“E drejta sovrane” e popullit ukrainas për të aspiruar anëtarësimin në NATO nuk mund të bëhet objekt negociatash, u shpreh më tej kryeministri i Britanisë së Madhe.

Kjo deklaratë vjen pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha që, nëse Ukraina refuzonte “idenë e bashkimit me NATO-n”, atëherë “do të kontribuonte ndjeshëm në formulimin e një përgjigje shumë më kuptimplotë ndaj shqetësimeve të Rusisë”. Komenti i Peskov, u bë në përgjigje të deklaratës së bërë nga ambasadori ukrainas në Londër, përgjatë fundjavës.

Ambasadori Vadym Prystaiko, la të kuptohej se vendi i tij, mund të merrte në konsideratë që të hiqte dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, për të shmangur luftën.

Të hënën, Prystaiko sqaroi komentin e tij dhe tha se Ukraina është “gati për shumë lëshime”, por shtoi se ato “nuk kanë lidhje fare me NATO-n, që është e sanksionuar në Kushtetutën e vendit”.

Boris Johnson tha gjithashtu se “Europa duhet të nxjerrë nga trupi i saj gazsjellësin Nord Stream” dhe të kërkojë alternativa të tjera burimi energjie, në mënyrë që ta ndëshkojë ashpër ekonomikisht Rusinë, nëse ajo pushton Ukrainën.


Video