
Politikanë, qytetarë e pensionistë! Kievi rrezikon të shndërrohet në Leningradin e Putinit, teksa rezistenca e qytetarëve ndaj ofensivës ruse ka hyrë në ditën e tretë të saj.
Mbi 18 mijë armë të regjistruara nga autoritetet vendase janë shpërndarë për civilë dhe të tjera janë marrë prej vetë qytetarëve nga duart e rusëve që janë zënë rob, apo kanë rënë në përpjekjet e tyre për të çarë barrikadat.
Autoritetet njoftuan se nga ora 17:00 deri në orën 08:00, deri më datë 28 shkurt të vendosin shtetrrethimin.
“Të gjithë ata që do të shihen në rrugët e qyteteve në këtë orar do të konsiderohen sabotues armik dhe do të eleminohen pa paralajmërim”, thotë Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.
Armët kundër rusëve janë kapur nga të gjithë, nga vëllezërit Klitschko te ish-Presidenti Poroshenko, që gjatë kohës që drejtonte vendin cilësohej si filorus. Ai është shembulli më i mirë se si ofensiva ruse ka bashkuar kombin ukrainas.