Hakerat pro-rusë kanë tentuar përmes sulmeve kibernetike të manipulojnë numrin e votave të Ukrainës gjatë gjysmëfinales së 10 majit dhe finales së 14 majit të Eurovision, që u mbajt në Torino.
Lajmin e ka bërë me dije autoritetet italiane, të cilat njoftuan se gjatë operacioneve të votimit dhe performancave të garuesve, autoritetet kishin arritur të pengonin disa sulme kibernetike në infrastrukturën e rrjetit nga grupi i hakerëve Killnet dhe nga bashkëpunëtorët e këtij grupi, Legion.
Çmimin e parë të Eurovision 2022 e rrëmbeu Ukraina me këngën “Stefania” nga orkestra Kalusha.
Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme kibernetike në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe në infrastrukturë. Javën e kaluar, hakerët pro-rusë sulmuan disa ueb-faqe të institucioneve italiane, përfshirë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Senatit.
Disa sulme të tjera të raportuara thuhet se kanë penguar punën e disa institucioneve, përfshirë edhe të ueb-faqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.
Mediat italiane thanë se grupi pro-Kremlinit, Killnet, ka pranuar se qëndron prapa sulmeve kibernetike. Në prill, Killnet shënjestroi ueb-faqet e Qeverisë së Rumanisë për shkak të mbështetjes që ky vend i jep Ukrainës në luftën kundër Rusisë.