G7 paralajmëron thellim të krizës ushqimore e energjitike

15 May 2022, 08:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

G7 paralajmëron thellim të krizës ushqimore e energjitike

Grupi i Shtatë ekonomive kryesore të botës paralajmëroi të shtunën se lufta në Ukrainë po krijon një krizë globale ushqimore dhe energjitike që kërcënon vendet e varfra dhe se nevojiten masa urgjente për të zhbllokuar rezervat e drithit që Rusia po i pengon të dalin nga Ukraina.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila organizoi takimin e diplomatëve të lartë të G-7, tha se lufta ishte kthyer në një "krizë globale".

Ajo tha se deri në 50 milionë persona, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, do të përballen me urinë në muajt e ardhshëm nëse nuk gjenden mënyra për të zhbllokuar grurin ukrainas, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të furnizimit në mbarë botën.

Në deklaratat e lëshuara në fund të takimit tre-ditor në bregun gjerman të Detit Baltik, G-7 u zotua të sigurojë ndihmë të mëtejshme humanitare për më të rrezikuarit.

"Agresioni i Rusisë ka gjeneruar një nga krizat më të rënda të ushqimit dhe energjisë në historinë e dekadave të fundit e cila tani kërcënon ata që janë në pozitat më të brishta në të gjithë globin", tha në një deklaratë Grupi i Shtatëshes.


Video