
David Beckham njoftoi se i ka vënë kanalet e veta të mediave sociale në shërbim të Ukrainës, duke ja dhuruar ato një mjekje të një maternitati në qytetin e Kharkivit.
Rrjetet sociale i janë dorëzuar Iryna, drejtuese e Qendrës Rajonale Perinatale në Kharkiv, që ajo t’i përdorë për të siguruar ndihma të nevojshme financiare dhe mjekësore, si dhe të ndërgjegjësojë botën për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve ukrainas.
Iryna thotë se në kohë paqeje është anesteziologe e fëmijëve dhe në ditën e parë të luftës të gjitha gratë shtatzëna dhe nënat duhej të evakuoheshin në bodrumin e spitalit. Ajo thotë se "për fat të keq, ne nuk mund t'i çojmë foshnjat që janë në kujdes intensiv në bodrum, sepse ata mbështeten në pajisje shpëtimi".
Iryna shton se ditët e para ishin më të vështirat, duke mësuar se si të punonte me bombardimet dhe sulmet me raketa, dhe thotë se dita e saj e punës tani është 24/7.
Gjithashtu, Epic Games ka njoftuar se midis 20 marsit dhe 3 prillit, do t'i japë të gjitha të ardhurat nga loja e saj e njohur në internet Fortnite si ndihmë humanitare për Ukrainën.
Në një deklaratë, gjiganti i lojërave tha se Microsoft-i, i pronarit të Xbox-it gjithashtu do të bënte të njëjtën gjë dhe të ardhurat do të shkojnë për bamirësi Direct Relief, si dhe tre agjenci të OKB-së, duke përfshirë Programin Botëror të Ushqimit.